09:58 / 17 Qershor 2012 / Kategoria: GD+

Recetat e Soniles: Myfle

Përbërësit për petët: 600 gr gjalpë ose margarinë, 600 gr miell, 1 lugë kafeje kripë, 250 ml ujë.

Për kremin: 4 të verdha vezësh ose 2 vezë, 1/2 lt qumësht, 50 gr miell, 150 gr sheqer, esence vaniljeje.

Përgatitja: E mira e kësaj ëmbëlsire kaq të shijshme është se mund të mbushet me çdo krem që ne dëshirojmë.

Për ta pasuruar, mund të shtojmë lajthi të thërrmuara, luleshtrydhe, manaferra, fruta të ndryshme në copëza, etj. Mund të përgatisim dhe petët me kakao. Në çdo rast, është e mrekullueshme.

Hapi i parë është të bëjmë një brumë homogjen me të tërë gjalpin ose margarinën dhe 200 gr miell. E mbështjellim brumin me qese dhe e fusim në frigorifer për gjithë ditën ose natën. Kur të kalojë kjo kohë, zëmë brumin e dytë, duke përdorur miellin e mbetur, ujin dhe kripën dhe i punojmë mirë. Hapim me secilën 2 petë drejtkëndëshe me trashësi rreth 1 cm dhe i vëmë mbi njëra-tjetrën, por poshtë duhet peta pa gjalpë. E palosim 3 herë si pecetë dhe e fusim në frigorifer për 30 min.

Pas kësaj, e palosim 4 herë dhe e lëmë prapë në frigorifer të pushojë për 30 min. Nëse e duam të na dalë sfoljat me më shumë petë, e palosim prapë, duke e futur çdo herë për 30 minuta në frigorifer.

Më pas, e ndajmë në pjesë dhe hapim petë të holla rreth 5 mm, drejtkëndëshe dhe i pjekim në 180° një nga një, për rreth 10 minuta e megjithatë, derisa të marrë ngjyrë të artë e të fryhet.

Ndërkohë përgatisim kremin e pastiçerisë me përbërësit e tjerë, duke i përzier dhe duke e lënë të marrë valë në zjarr të ëmbël, derisa të trashet. E lëmë të ftohet dhe e shtrojmë ca mbi një petë sfoljati (jo shumë pasi ka vështirësi në ngrënie). Mbi të vëmë petën tjetër dhe prapë kremin. Pas 2 petëve dhe 2 shtresave të kremit që kemi zgjedhur për të përdorur, sipër i thërrmojmë një petë sfoljat. Konsumohet e ftohtë.

Punë të mbarë fantazisë suaj për mbushjen e myfleve!

Burimi i Artikullit: 
Recetat e Soniles: Myfle